6 të arrestuar për kontrabandë, sekuestrohet mall me vlerë qindra miliona lekë

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2021, 13:37 | Kronikë

Gjashtë persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, të akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë dhe fshehje të të ardhurave. Të gjashtë personat e arrestuar janë administratorë dhe menaxherë të subjekteve të ndryshme, tha Prokuroria e Tiranës.

Në pranga përfunduan

A. D., 30 vjeçe, banuese në Tiranë

M. L., 34 vjeç, banues në Tiranë

B. S., 37 vjeç, banues në Tiranë

E.Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë

K.S., 25 vjeç, banues në Tiranë

B. Ç., 44 vjeç, banues në Tiranë

Gjithashtu, Prokuroria tha se ka sekuestruar mallra me një vlerë disa qindra miliona lekë. Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore, 300 lloje të ndryshme produktesh industriale (si: veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro), shuma monetare të cilat ishin përfituar nga shitja e produkteve.

Prokuroria ka zbardhur edhe skemën me të cilën operonin personat e arrestuar.

“Mallrat të cilat dyshohet se hyjnë në territorin shqiptar duke shmangur detyrimet doganore dhe më pas tregtohen duke shmangur edhe detyrimet e tjera, magazinohen në magazina postare e më pas shpërndahen përmes shërbimeve postare private, jo vetëm brenda territorit shqiptar, por edhe në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, duke i shkaktuar shtetit dëme financiare prej miliarda lekësh. Prokuroria do të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar gjithë skemën e importimit dhe tregtimit të mallrave, të cilat i shmangen detyrimeve tatimore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos