
Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, në një deklaratë për mediat theksoi se “titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës dhe të qarkulluara nga përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve, janë një dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit ku kanë rënë lolot e Rilindjes, me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm, Tao Tao, në lidhje me konkluzionet e Opinionit final të Komisionit të Venecias”.
“Së pari dua t’ju bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lehtësisht të verifikueshëm, që nxjerr në dritë, para të gjithë shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao Tao, që mashtrojnë dhe ndajnë në media, gjoja në emër të Venecias, raporte dhe konkluzione të pavërteta. Ky është dokumenti i vetëm zyrtar i publikuar sot nga Këshilli i Europës, në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias. Ndërsa ky këtu është dokumenti që Tao Tao, lolot dhe përsheshngrënësit mediatikë kanë publikuar dhe shpërndarë me email, sms apo me titra. Dokumenti i Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet”, tha Blushi.
Zëdhënësi i Kreut të Shtetit shtoi: “Ndërkohë, sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”. Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik”.
“Gjithashtu, ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate.” Për më tepër, në këtë deklaratë zyrtare të KiE-së, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: “të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”. Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme”, shtoi Blushi.
Më tej, zëdhënësi i Presidentit nënvizoi se “është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e “Venecias” për të keqinformuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit”. (A2 Televizion)