
Vendndodhja e deputetit të Lëvizjes “Besa” i mori gjithë vëmendjen opozitës në Maqedoni të Veriut që po tenton rrëzimin e qeverisë me votë në Kuvend.
Kastriot Rexhepi ishte pikërisht ligjvënësi i 61 që do të mundësonte krijimin e një maxhorance të re, por ende pa nisur seanca publikoi një status në rrjete sociale duke bërë me dije qëndrimin kundër mocionit të mosbesimit.
Pas shumë pretendimeve se është rrëmbyer, deputeti është bërë i gjallë me anë të një video-mesazhi në rrjetin social “Facebook” dhe pohon se vendi nuk ka një shumicë të re parlamentare. Gjithashtu adreson shqetësimet për shëndetin e tij.
“Jam në vend të sigurt. Jam në anën e duhur. Jam me shqiptarët dhe të gjithë shqiptarët e vendit që dëshirojnë paqe, liri dhe demokraci. Jam me BE dhe NATO dhe jo me qarqet antishqiptare”, deklaroi Rexhepi.
Megjithatë, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami ka ende dyshime që këto deklarata në mbështetje të qeverisë, deputeti po i bën me detyrim. Madje Kasami kallëzoi në polici rastin, teksa komentoi dhe mesazhin e fundit të publikuar në rrjete sociale.
Nga ana tjetër mungesa e Rexhepit ka penguar seancën për votimin e mocionit të mosbesimit, pasi mungoi kuorumi i nevojshëm.
Partia opozitare e VMRO-DPMNE iu kërkoi organeve shtetërore dhe presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, që të bëjnë përpjekjet e nevojshme për lokalizimin e deputetit.
Për situatën e krijuar ka reaguar dhe kabineti i presidentit që thekson se “nëse asnjë parti nuk formon shumicën nuk përjashtohet mundësia për mbajtjen e një takimi të liderëve në të cilën do të flitet për krizën politike”. (A2 Televizion)