
Koronavirusi vendos në rrezik 305 milionë vende pune me kohë të plotë në të gjithë botën brenda tremujorit të dytë të këtij viti. Vlerësimi vjen nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, sipas së cilës zgjatja e periudhës kohore të masave kufizuese ka përkeqësuar parashikimin e mëhershëm, të rreth 200 milionë vendeve të punës.
Ky organ i Kombeve të Bashkuara paralajmëron gjithashtu se pandemia rrezikon t’u shkatërrojë burimin e mbështetjes së jetesës më shumë se 1.5 milirdë personave në të gjithë planetin.
Vendet e punës në informalitet janë më në rrezik, shumë prej tyre janë në sektorin e shitjes me pakicë, industrinë e prodhimit dhe shërbimin ushqimor.
“Ajo që ne gjejmë në raport në këtë monitorim është se kemi 2 miliardë punëtorë informalë në botë, ku rreth 1.6 miliardë kanë pësuar dëme masive në aftësinë e tyre për të fituar jetesën dhe për të mbështetur veten dhe familjet e tyre për shkak të krizës aktuale COVID-19”, u shpreh Guy Ryder, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Sipas raportit, 2 miliard punonjës informalë kanë pësuar ulje të pagës me rreth 60% gjatë muajit të parë të përhapjes së pandemisë.
“Për miliona punonjës, mungesë të ardhurash do të thotë mungesë ushqimi, sigurie dhe të ardhmeje”, shton kreu i Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Ryder thotë gjithashtu se miliona biznese mezi po mbijetojnë dhe nënvizon se nëse ato nuk ndihmohen në këtë periudhë të vështirë rrezikojnë të zhduken. (A2 Televizion)