
Presidentja Vjosa Osmani, zgjodhi fjalët e atij që e quajti themelues të shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, për të nisur fjalimin para europarlamentarëve në Strasburg. E ndërprerë shpesh nga duartrokitjet, ajo u kujdes të theksonte përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të qenë pjesë e familjes europiane. Kosova është Europë, deklaroi Osmani , por bëri thirrje për hapa më konkrete nga ana e bllokut për parandaluar destabilizimin e rajonit nga forcat malinje.
“Avancimi ynë drejt integrimit do të jetë katalizator për pajtimin dhe paqen në një rajon ku forcat dashakeqëse janë përpjekur historikisht dhe vazhdojnë të nxisin përçarje. Mungesa e integrimit të vendeve demorkatike në BE përbën një kërcënim të madh për sigurinë e të gjithë kontinentit pasi e lë rajonin të brishtë ndaj forcave malinje”.
Në mesin e kritikave nga SHBA dhe BE përballë atij që po perceptohet si refuzim i qeverisë Kurti për të bashkëpunuar lidhur me zbutjen e tensioneve në veri, Osmani u kujdes të theksonte rëndësinë e aleancave për tejkalimin e sfidave. Duke cituar edhe një herë Rugovën, ajo deklaroi se shtëpia nuk mund të mbahet pa miq.
“Edhe sot, vendi përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë për shkak të këtyre forcave dashakeqase. Unë jam e sigurt se mënyra e vetme për t’i tejkaluar, është përmes partneritetit dhe aleancave”.
Teksa theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të drejtave të njeriut, pavarësisht etnive, Osmani ju drejtua komunitetit serb, duke i kërkuar të ushtrojnë të drejtat e tyre.
“Në frymën e gjithëpërfshirjes u bëj thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat e avancuara që u garantohen në kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka në dorë që të ndiheni të barabartë dhe të dëgjuar”.
Delegacionit të Luginës së Preshevës, që ishte i pranishëm në seancë, presidentja Osmani i tha se Kosova qëndron pranë tyre, përballë shkeljes sistematike së të drejtave të njeriut. Duke folur për Ukrainën, presidentja e u shpreh tha se ishin të gatshëm për të bërë gjithçka në dorë për të mbështetur Ukrainën. (A2 Televizion)