
Serbia pretendon se ka arrestuar brenda territorit të saj tre oficerë kosovarë, por Prishtina zyrtare pas komunikatës së policisë së Kosovës që e cilësonte rrëmbim rastin në fjalë, i ka mëshuar këtij qëndrimi edhe me një reagim të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ministri i Brendshëm nëpërmjet një postimi në Facebook ka akuzuar Serbinë se në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka rrëmbyer 3 zyrtarë policorë.
Sveçla rreket që njëjtë si policia e Kosovës të sqarojë se tre efektivët kanë qenë duke patrulluar në Veri, në pikën kufitare në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e shtetit të tyre.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, qartëson Svelça.
Ai më tej shprehet se Serbia po vepron si një shtet agresor, duke treguar se janë ata shkaktarët e problemeve të Kosovës dhe rajonit.
Svelça po ashtu kërkon reagimin e menjëhershëm nga ndërkombëtarët për ngjarjen e sotme dhe lirimin urgjent të tre policëve të rrëmbyer dhunshëm nga Serbia.
“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor.
Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, nënvizon ai. (A2 Televizion)