
Padia e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj Ramush Haradinajt, në sytë e opinionistëve të Tiranës është e paprecedentë dhe e gabuar.
Ben Andoni dhe Enver Bytyçi shpjegojnë për A2 arsyet që ata mendojnë se e shtynë Edi Ramën drejt këtij përshkallëzimi të konfliktit me homologun e tij të Prishtinës.
“Mendoj se është bërë për të hequr vëmendjen dhe për të marrë disa pikë patriotike dhe dinjiteti në Kosovë, pasi kuotat e zotit Rama në Kosovë kanë zbritur jashtëzakonisht”, shprehet Ben Andoni.
“Për të hequr vëmendjen nga skandalet, dështimet e qeverisjes dhe për t’i shërbyer hapur dhe publikisht interesave joshqiptare”, thekson Enver Bytyçi.
Tani që padia ka gjetur rrugën ligjore, Rama ka barrën e provës, ndonëse nuk do ta ketë të lehtë.
Ben Andoni shpjegon: “Ka një problem në padinë e zotit Rama sepse i bie një peshë shumë e madhe për të provuar realisht të kundërtën dhe e kundërta nuk provohet thjesht me fjalë”.
Ndërsa Bytyçi thotë: “Ai që bën padinë, duhet të provojë fajësinë dhe kjo është shumë e vështirë”.
Por, a mund të ishte zgjidhur ndryshe konflikti i dy kryeministrave shqiptarë këtej dhe andej kufirit?
“Mund ta gjenin zgjidhjen me një bisedë xhentëllmenësh”, thekson Andoni.
Dialogu dhe marrëveshja e xhentëllmenëve mungon nga të dyja anët e kufirit, përsa kohë edhe Haradinaj ka paralajmëruar kundërpadi. (A2 Televizion)