
Mijëra biznese janë sot të vetëm në luftën ndaj koronavirusit. Edhe pse nuk janë mbyllur me urdhër nga qeveria, shumë aktivitete si mekanikët, lavazhet, pastruesit dhe agjencitë turistike gjenden pa klientë, pa të ardhura dhe pa asnjë ndihmë financiare nga shteti.
I tillë është edhe rasti i Ferjolt Ozunit, i cili që prej vitit 2011 zotëron një agjenci që organizon guida turistike në të gjithë vendin, me klientelë kryesisht të huaj. Me mbylljen e kufijve dhe ndalimin e qarkullimit, tashmë i gjithë aktiviteti i tij është i pezulluar.
Sektori i turizmit parashikohet të jetë një nga më të goditurit në vend këtë vit, me pasojat që mund të shtrihen edhe në të ardhmen. Aktualisht, në një periudhë kur duhet të ishte kulmi i rezervimeve, agjencitë janë duke bërë dëmshpërblimin e shërbimeve të shitura më herët.
Teksa qeveria bëhet gati të shpallë paketën e zgjeruar të ndihmës ekonomike për bizneset dhe familjet në vështirësi, operatorët turistikë kërkojnë një vëmendje të veçantë që shkon përtej pagave minimale të luftës. (A2 Televizion)