
Shqipëria pritet të humbasë 1.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shkak të koronavirusit. Alarmi vjen nga Banka Botërore, në analizën e saj të fundit, ku evidenton se humbjet më të mëdha do të vijnë për shkak të ndalimit të udhëtimeve si dhe masave të marra për parandalimin e pandemisë, që ka sjellë mbylljen e bizneseve në vend.
Sipas Bankës Botërore, goditjen më të fortë nga pandemia do ta marrë sektori i transportit dhe turizmit, ku tashmë operatorët turistikë kanë nisur pushimet nga puna.
Sa i takon borxhit publik, institucioni financiar ndërkombëtar deklaron se pritet të rritet mbi nivelin e 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, teksa deficiti do të rritet në 3.9% të PBB-së.
Një recesion i zgjatur në Bashkimin Europian nëse pandemia vazhdon deri në vitin 2021 do të ndikonte negativisht në eksportet shqiptare si dhe në dërgesat e emigrantëve, thuhet më tej në raportin e Bankës Botërore.
Sipas kësaj të fundit, ekonomia mund të shohë një përmirësim në tremujorin e fundit të 2020-ës, nëse situata e koronavirusit arrin të kontrollohet, teksa humbjet e mëdha pritet të kompensohen pjesërisht nga prodhimi i energjisë elektrike dhe procesi i rindërtimit, për të cilin Banka Botërore apelon qeverinë që të nisë sa më shpejt zbatimin. (A2 Televizion)