
Në aktin normativ për masat e veçanta në parandalimin e koronavirusit, ndalohej “pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës”. Kjo u shoqërua me një reagim të ashpër nga ana e Partisë Demokratike, për të cilën ky vendim mund të sillte përplasje sociale.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati foli në A2 mbi këtë temë, duke u shprehur se qeveria shqiptare nuk ka shpikur asnjë nga masat e marra, por ato janë të sinkronizuara edhe me vende të tjera.
“Këto masa zbatohen në Francë dhe në Amerikë. Kategoria e këtyre që jetojnë me qira është më e madhe se ata që japin apartamente me qira. Asnjë sot në Shqipëri nuk do të vdesë për të ngrënë dhe nuk do të vuajë për të ngrënë dhe qiradhënësit nuk do të ngelen për bukë, këtë nuk e kanë për mbijetesë. Kjo kosto do të ndahet në mënyrë të barabartë me shoqërinë”, tha Bushati.
Më tej, deputeti i PS-së theksoi se qeveria ka treguar maturi dhe përkushtim, si në rastin e tërmetit, po ashtu edhe me pandeminë e koronavirusit.
“Ka qenë e admirueshme sjellja e qytetarëve shqiptarë në gjendjen e luftës. Patjetër do të merren masa që ekonomia të mos kolapsojë. Mendoj se qeveria ka treguar maturi shumë të mirë. Ne e shajmë qeverinë, por kemi kaluar dy kriza shumë të forta, tërmeti dhe tani koronavirusi. Masat janë po ato që po merren në të gjithë botën.
Hallka më e dobët në çdo vend të botës sot janë shtresat nën nevojë, nga krahu tjetër janë edhe konsumatorët e këtyre biznese, por ata nuk mund të kërkojnë vetëm për vete. Qeverisja në radhë të parë është për qytetarët”, tha Bushati. (A2 Televizion)