
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, komentoi në A2 masat e marra nga qeveria për të luftuar pandeminë e koronavirusit, por edhe replikat politike mes palëve në ditët e fundit.
“Unë jam profesionist, jo pa profesion si një tufë e madhe e ministrave. Unë i jam drejtuar qeverisë shqiptare para se ta vinte ujin në zjarr, me një set propozimesh dhe masash. Megjithatë, ne kemi pasur përballë një qeverisje që është e paditur dhe arrogante. Qeveria filloi të vepronte vetëm pasi pandemia ishte fakt i kryer. Kam propozuar masa të mbylljes së kufijve që në fillim, të ngjashme me ato të SARS-it”, shprehet Vasili.
Më tej, ai thekson se në Shqipëri nuk është vendosur karantina, por vetëm kufizimi i lëvizjes. “Kjo nuk është karantinë, kjo është kufizim lëvizje. Karantina u zbatua vetëm në Kinë. E gjitha Evropa dhe SHBA siguruan shërbimet bazë, ndërsa Shqipëria e ka ndihmuar me veprimet e saj koronavirusin duke i grumbulluar njerëzit. Këtë e bën vendosja e orareve. Ne, sot, kemi rezultat kokëfortë sepse përqindjet e vdekshmërisë shkojnë te 6%”.
Nënkryetari i LSI-së u shpreh se në pandemi jetik është testimi i popullsisë, i cili sipas Vasilit, duhet të ishte të paktën në nivelin e 10-12 mijë në Shqipëri, aktualisht.
“Testimet janë shumë larg numrit përfaqësues që mund të kursente jetë njerëzish. Kjo është një sasi testimesh, që harron një gjë themelore, testimi është jetik. Me anë të testimit mund të përcaktosh strategjinë. Pa testim nuk mund të kemi një situatë të qartë. Nuk ka asnjë instrument tjetër. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe ekonominë shqiptare. Deri tani duhet të kishim bërë të paktën 10-12 mijë testime. Aktualisht, nuk mund të bëjmë parashikime sikur lexojmë horoskopin”, tha Petrit Vasili. (A2 Televizion)