
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka mbrojtur tenderin e ushqimeve si të ligjshëm. Nuk është pritur asnjë javë, por është vepruar menjëherë.
“Më 26 mars komisioni hapi ofertat dhe më datë 27 shpalli fituesin”, u shpreh ministrja
Për analogji, Xhaçka i kujtoi kryedemokratit se kishte bërë të njëjtën gjë: “I kujtoj Lulzim Bashës se është procedurë krejt e ligjshme e perdorur edhe nga ai vetë në vitin 2010”.
Nga selia blu, reagimi për të tretën ditë me radhë nuk mungoi. Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se në vend të transparencës, ministrja sulmoi me gjuhë urrejtjeje opozitën: “Ju të gjithë e dini thënien “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Por sulmi me shpifje vetëm zbulon sa nervozë janë Rama dhe Xhaçka. Zbulon se po fshehin të vërtetën e skandalit me 1,5 milion euro të shqiptarëve, për ushqimet e njerëzve në nevojë, që i janë dhënë një kompanie kompjuterash pa asnjë lidhje, në Maqedoninë e Veriut”.
Sipas Alibeajt, SPAK dhe prokurori i përgjithshëm duhet të lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështjeje. (A2 Televizion)