
Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, u shpreh i kënaqur që Komisioni i Venecias mori parasysh sugjerimet e organizatave të mediave në opinionin e dhënë për paketën antishpifje.
“Është momenti që Qeveria të reflektojë me dëgjueshmëri e të ndryshojë metodologjia e hartimit të kësaj pakete. Të përkrahen mekanizmat vetërregullues. Nëse mundësohet kjo, atëherë Shqipëria do të ketë standard tjetër të marrëdhënies me mediat e reja. Mendoj se pas kësaj historie është mënyra sesi është konceptuar struktura e AMA-s. Komisioni i Venecias e cilësoi “frikësim të lirisë së shprehjes” dhe media nuk e meriton këtë”, tha Çipa, i ftuar në Ditarin e A2.
“Ne e mbështesim nismën vetërregulluese. Për këtë kemi kërkuar edhe konsensusin me organizatat e tjera të gazetarëve. Ne jemi të brengosur nga ndotja etike që ka realiteti i mediave online në vend. Jemi këmbëngulës të asaj që unë e konsideroj platformë vetërregulluese. Nëse kjo platformë bashkon të gjithë aktorët dhe grupet e interesin besoj se do të kemi realitet të përmirësuar, që do të mbështetet nga pjesa më e shëndetshme e komunitetit tonë. Do të sillte standardin e Europës Qendrore, vendeve që formësojnë Bashkimin Europian”.
Çipa komentoi edhe çështjen e votës së emigrantëve, që me sa duket nuk do të zgjidhet as në zgjedhjet e ardhshme. “Politika duhet ta kishte zgjidhur këtë të drejtë themelore e shqiptarëve që jetojnë në emigracion, për të kontribuar edhe ata në zgjidhjen dhe përfaqësimin politik brenda Republikës. Është e vështirë për shkak të ndërgjegjes së munguar të liderëve politikë. Është shndërruar një nga problemet më të mëdha të mospërfaqësimit shqiptar. Pjesa më e madhe e elektoratit të papërfaqësuar jeton në emigracion”, tha Çipa. (A2 Televizion)