Ekstazia “pushton” lokalet e natës, rritje alarmante e sekuestrimit të saj në 6 muaj

Nga Xhensila Kodra
22 Gusht 2025, 15:19 | Kronikë

Një drogë që dikur konsiderohej si e rrallë në tregun shqiptar, ekstazia, po njeh një rritje shqetësuese në përhapje, veçanërisht në kryeqytet. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Tiranës për 6 mujorin e parë të vitit 2025 janë sekuestruar afro 222 gram ekstazi, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ku u sekuestruan vetëm 4.6 gram.

“Lënda narkotike e llojit ekstazi është substanca që më së shumti kryesisht në lokalet e natës nga moshat e reja. Kjo gjë është vërejtur gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, nga operacionet që ka kryer në terren Antidroga e Tiranës”.

Kjo substancë është më e lirë se kokaina, por për shkak të efektit stimulues dhe shpërndarjes më të lehtë, po fiton terren në tregun ilegal të drogës, sidomos në lokalet e natës në Tiranë, që tashmë konsiderohen si pika kyçe të shpërndarjes, shkruan A2 CNN.

Përveç ekstazisë, të dhënat zyrtare tregojnë se në total janë evidentuar 929 vepra penale për drogë dhe trafiqe në periudhën Janar-Qershor 2025, ku janë përfshirë 1116 autorë. Prej tyre, 299 janë arrestuar, ndërsa pjesa tjetër është ndjekur në gjendje të lirë ose është në kërkim.

Ndërkohë, kanabisi dhe kokaina vijojnë të mbeten ndër drogat më të përhapura. Vetëm për këtë 6 mujor janë sekuestruar 292 kg kanabis dhe mbi 5 kg kokainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos