Mbahet seanca dëgjimore për zgjedhjen e kreut të SPAK, vendimi merret të enjten

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 09:48 | Aktualitet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nis seancat dëgjimore për kandidatët që kanë shprehur interesin për të qenë drejtues të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Për këtë pozicion janë shprehur interes 3 kandidatë, Ervin Kondili, Altin Dumani dhe Arben Kraja. Seanca ka nisur me Altin Dumanin, i cili shpalos platformën e tij për drejtimin e SPAK-ut.

“Është privilegj për mua të jem para jush dhe para publikut. Do të prezantoj para jush vizionin tim për drejtimin e SPAK. Kam një plan të detajuar në drejtim të ndjekjes penale, të cilin e kam paraqitur pranë KLP-së. Duhet emëruar drejtuesi e BKH-së sa më parë. SPAK do të synojë të ketë në administratën e saj njerëz profesionistë, me integritet të lartë. Do të jem shumë kërkues ndaj kritereve për përzgjedhjen e administratës. Lidershipi i SPAK do krijojë frymën në gjithë institucionin. Punoj në grup, gjithë energjitë e mia për të nxitur dhe mbështetur punën në grup. Kam cilësitë e duhura për të drejtuar këtë institucion”, ka thënë Dumani.

Altin Dumani

I dyti në garë ishte Arben Kraja, i cili u shpreh: “Kam eksperiencë drejtimi, e cila garanton suksesin tim në drejtim të institucionit. Nga 15 prokurorë që ka caktuar KLP-ja për nisjen e SPAK-ut kemi vetëm 8. Kemi 2 mundësi ligjore për plotësim: drejtuesi mund të caktojë një prokuror të përkohshëm që plotëson kriteret për të ushtruar veprimtari në SPAK. E dyta, drejtuesi i SPAK mund të kërkojë prokurorë për një detyrë specifike në SPAK”, tha Brahaj.

Ndërkohë, Kondili u shpreh se kërkon drejtimin e SPAK nisur nga eksperienca e tij. “Ngritja e SPAK do të bazohet në objektiva konkrete, në afate sa më të shpejta: krijimi i BKH si plotësuese e SPAK. Garantim total i pavarësisë së prokurorëve, mentaliteti ndryshuar i prokuroreve larg centralizimit e dikurshëm”, tha Kondili.

Vendimi për emrin e drejtuesit të SPAK-ut do të shpallet të enjten, pasi këtë herë kandidati do të votohet nga anëtarët. Për përzgjedhjen e kreut të SPAK nuk do të aplikohet pikëzimi, por vota e anëtarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos