
Pas aksionit ndaj pallateve pa leje apo me kate shtesë mbi lejen e ndërtimit, Kuvendi ka nisur edhe shqyrtimin e projektligjit që përcakton se si do të veprohet me këto prona. Nga shtatori i vitit të shkuar, kur qeveria miratoi VKM-në, deri më sot janë 25 objektet e konfiskuara.
Ashtu siç bënë edhe me VKM-në, përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan projektligjin, duke e konsideruar atë si një akt klientelist.
Ligji përcakton se nëse 10% apo më shumë e ndërtimit është pa leje, e gjitha pasuria do të konfiskohet. Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, sqaroi se më pas i njihet detyrimi personave apo kompanive që kanë kontrata porosie apo kleringu me ndërtuesin dhe vetëm më pas bëhet vlerësimi nëse pjesa shtesë mund të shitet nga shteti.
Sipas argumentave të kryeministrit, konfiskimi i godinave pa leje u ndërmor si hap ligjor për të ndëshkuar shkelësit, të cilët zakonisht në mënyrë të ndryshme u shpëtonin pasojave ligjore, por ky instrument i ri, nuk i shpëton ata nga ndjekja penale. (A2 Televizion)