Pampuri: Numri i testeve bazohet mbi buxhetin që ka dhënë qeveria për to

Nga A2 CNN
7 Prill 2020, 20:17 | Politikë
Pampuri: Numri i testeve bazohet mbi buxhetin që ka dhënë qeveria

Orjola Pampuri, ish-deputete e Partisë Demokratike, deklaroi në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2 se strategjia e testimeve që po ndiqet në vendin tonë bazohet te “buxheti që ka ofruar qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për numrin e testeve”.

“Duhet rritje e testimeve të personave që shfaqin simptoma, vetëm kështu shkëputet zinxhiri i transmetimit dhe rritet efikasiteti i gjurmimit. Strategjia e Komitetit po ndiqet në bazë të buxhetit që ka ofruar qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për numrin e testeve. Por, fakti që OBSH-ja paraqet rëndësinë e testeve, do të thotë se vetëm me teste shkëputet zinxhiri i transmetimit dhe zhbllokohet situata ku ndodhemi”, deklaroi Pampuri.

“Duke mbajtur të gjithë popullsinë të izoluar, cenojmë ekonominë”, shtoi ish-deputetja.

Sipas saj, “reagimi i opozitës ka qenë konstruktiv gjatë gjithë kësaj kohe”.

“Kemi propozuar paketa ekonomike dhe për sistemin shëndetësor. Pikat e propozuara i ka huazuar disi qeveria dhe më pas ka sulmuar opozitën. Pandemia nuk është menaxhuar mirë”, theksoi Pampuri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos