
Partia Demokratike thotë se tenderët e zhvilluar deri tani nga qeveria në lidhje me përballimin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, nuk duhet të ishin klasifikuar si sekret shtetëror. Sipas ish-deputetit të PD, Enelejd Alibeaj, ky klasifikim është bërë në kundërshtim me ligjin
“Këta tendera nuk kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Blerja e mjeteve mbrojtëse për mjekët, pasi u zbulua skandali i maskave të skaduara, e aparateve respiratorë dhe e kiteve për testim gati 1 muaj pas identifikimit të rastit të parë me COVID-19 është bërë me procedure sekrete. Duket e pabesueshme, por me procedurë "sekret shtetëror" është bërë edhe tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Pse janë klasifikuar sekret shtetëror këto tendera? Çfarë fshihet pas tyre? Në vend që të bëjë transparencë, qeveria hesht”, tha Alibeaj në një deklaratë për mediat.
“Edi Rama ka urdhëruar të mbahet sekret informacioni se sa lekë u harxhuan për tenderat urgjentë të Ministrisë së Shëndetësisë, si u përzgjodhën kompanitë fituese apo çfarë ofertash bënë ato. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë sesi po i përdor qeveria paratë e tyre, nëse këto para po përdoren mirë apo nëse me to po abuzohet.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Edi Rama janë pyetje që i bën çdo qytetar që kërkon transparencë nga qeveria e tij.
1. Pse Edi Rama nuk lejon të bëhen transparente procedurat për 4 tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë?
2. Sa është vlera e tenderave të shpallur sekret dhe kush ka paraqitur oferta?
3. Ku e cënon sigurinë kombëtare transparenca për blerjen e respiratorëve, të kiteve për testim, të mjeteve mbrojtëse për stafin shëndetësor apo kush do të trajtojë mbetjet spitalore.
Shpallja sekret e 4 tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë është e paligjshme. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë fshihet pas procedurave që, padrejtësisht, mbahen sekret”.
Sipas Alibeajt, në të katër këto tendera, kompani pa përvojë paracaktohen për të përfituar nga epidemia. “Njësoj si në rastin e kompanisë maqedonase të kompjuterëve që mori tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe në tenderin e klasifikuar sekret të Ministrisë së Shëndetësisë ka fituar një kompani antenash televizive. “TBS 96” është e njëjta kompani që u përdor për shitjen e dekoderave për qytetarët me përkrahje sociale dhe që vetëm para pak kohësh ka shtuar si aktivitet të saj materialet dhe pajisjet mjekësore. Nëse qeveria këmbëngul të mbajë sekret një aferë duke mos lejuar transparencën, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u e kanë për detyrë të bëjnë transparencë. Ato duhet të verifikojnë, të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë këdo që vjedh paratë e shqiptarëve në ditën më të vështirë. Për SPAK-un e sapokrijuar për të luftuar korrupsionin është e pafalshme heshtja apo infektimi nga virusi i kontrollit prej kryeministrit”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)