Pandeli Majko: Mjekët janë “diktatorët” në këtë situatë, nevojitet mirëkuptim

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 09:07 | Aktualitet
Pandeli Majko: Mjekët janë “diktatorët” në

Pandeli Majko, Ministri i Shtetit për Diasporën foli në Dita Jonë për rrjetin e mjekëve shqiptarë në botë, situatën nga pandemia, politikën në vend, por edhe për krizën në Kosovë.

Ministri u shpreh se situata e krijuar nga pandemia, sidomos te mjekët, na bëri të kuptojmë kapacitetet e plota. “Në të gjithë botën po krijohet një rrjet i mjekëve shqiptarë”, tha ai.

Pandeli Majko u ndal më tej te masat e marra, dhe u bëri thirrje qytetarëve që ato të zbatohen, pasi aktualisht, tha ai, jemi në duart e mjekëve.

“Këto nuk janë kufizime të politikës, por të një Task Force, ku zëri kryesor është i mjekëve. Në këtë moment të ketë mirëkuptim. Duhet të mirëkuptojmë këtë fakt, është një luftë për jetën, e cila nuk po ndodh vetëm te ne. Mendoj se ne jemi në duart e mjekëve. Mjekët janë diktatorët e kësaj gjendje. Janë këmishë force dhe duhet të bindemi.

Unë mendoj se opozita e ka shumë të nevojshme të jetë pjesë e tavolinave të përbashkëta. Pjesëmarrja në Këshillin e Sigurisë ishte shumë e rëndësishme. Kur janë pjesë e tavolinave, ata janë shumë herë më të qetë”.

Fatkeqësia natyrore

“Nëse do të hiqej sot gjendja e emergjencës kombëtare, qeveria nuk do të kishte asnjë të drejtë të bënte asnjë lloj bllokimi. Kjo do të jetë më shumë një situatë tranzitore deri në qershor. Është e nevojshme një situatë e tillë e emergjencës. Mendoj se më shumë se sa debat politik, duhet lënë në duart e mjekëve. Askush në qeverinë shqiptare nuk ka në interes të mbajë njerëzit mbyllur.

Situata politike në Kosovë.

“Kam frikë se situata do të acarohet në Kosovë. Ajo që është e rëndësishme është që të mos ketë debat me palë të treta, sidomos me SHBA-në. Jam i shqetësuar për këtë lloj diskutimi që ka filluar në Kosovë. Do të doja që qeveria aktuale të mbyllte situatën aktuale të pandemisë. Por duket se politika atje ka inate të vjetra me Vetëvendosjen”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos