
“Në mungesë të institucioneve dhe në mungesë të një garancie, liderët politikë i shfrytëzojnë këto momente për të marrë më shumë mbështetje. Ligjërimi i kryeministrit, në thelb nuk ka qenë negativ, por nga ana tjetër kemi pasur një lloj situate jo të këndshme në raport me kritikën, arrogante, denigruese dhe fyese”.
Kështu e komenton analisti i A2, Afrim Krasniqi, komunikimin publik të qeverisë, ndërsa më pas këtë e bën edhe për opozitën. Krasniqi bën edhe një parashikim se çfarë do të ndodhë me vendin tonë pas koronavirusit.
Propozimet e opozitës
“Edhe në vende të tjera, opozita ka qenë shumë e ashpër me qeverinë. Sjellja e opozitës te ne, po synon të ndryshojë imazhin, por disa edhe e shkatërrojnë fare imazhin. Ajo që do të duhet të kishte ndodhur, duhet të kishte pasur një komunikim me mazhorancën, një bashkëpunim, për të dhënë një sinjal se situata duhet të kapërcehet. Opozita ka dy probleme, së pari duhet gjetur kush është opozita. Së dyti, ka qenë e papërgatitur, që pas tërmetit do të kishim një situatë të tillë. Nga ana tjetër, qytetarët nuk presin vetëm këshilla, por edhe një lloj reflektimi.
Institucionet duhet të ishin lajmi kryesor
“Në situata të tilla, liderët politikë nuk duhet të bëjnë lajmet kryesore. Këtu te ne komentojnë çdo gjë. Institucionet kryesore duhet të ishin lajmi kryesor. Duhet të jemi shumë më të ndershëm me qytetarët. E gjithë agjenda politike ka ndryshuar që pas tërmetit. Ne nuk duam të kemi liderë të fortë, por institucione të forta, por në fakt në Shqipëri po ndodh e kundërta. Shqipëria është një tokë pjellore për të nxjerrë liderët më të fortë. Ne po humbim institucionet dhe për këtë nuk po flet askush.
Çfarë do të ndodhë pas pandemisë?
“Do të jetë një nga situatat më të vështira për Shqipërinë, të paktën në dekadën e fundit. Po humbim shumë kohë me prodhimin e krizave të ditës. Kur ta kalojmë këtë situatë do të humbim trenin e integrimit, të reformave dhe të kthehemi në emergjencë. Pjesa më e madhe po varfërohen, ndërsa pakica është pasuruar shumë më tepër. Ky është një lajm negativ për mënyrën se si do të ecë demokracia dhe se si do të reflektohet”. (A2 Televizion)