Pandemia, Shehu: Vjeshta dhe dimri mund të jenë të rrezikshëm

Nga A2 CNN
21 Qershor 2021, 14:33 | Aktualitet
Pandemia, Shehu: Vjeshta dhe dimri mund të jenë të

Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë, i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa urgjente, në mënyrë që mos të përjetojmë një dimër si ai i kaluari në lidhje me pandeminë.

“Duhen marrë masa emergjente, siç kam thënë edhe verën e kaluar, por atëherë nuk u morën. Edhe verën e kaluar patëm një rënie të intensitetit të pandemisë, por pastaj kaluam një periudhë tragjike nga vjeshta e deri para një muaji. Në Shqipëri është arritur një imunizim natyral i popullsisë, por gjykoj që popullsia nuk është akoma tërësisht e sigurt nga vala tjetër e mundshme”, deklaroi Shehu në studion e “Ditari”, në A2.

Sipas tij, një nga shkaqet e rikthimit të pandemisë është edhe vaksina që është përdorur në vendin tonë.

“Vaksina kineze që është përdorur gjerësisht në Shqipëri është e pasigurt, e pacertifikuar, e pamiratuar nga EMA dhe FDA, është vaksinë që ka eficencë rreth 50%, ka studime që e japin me eficencë edhe më të vogël. Për shembull, në Kili u vaksinuan në masë me vaksinën kineze dhe u krijua bindja se kishin fituar imunitet. U hoqën masat, por vaksina nuk kishte bërë efekt dhe pati humbje të mëdha njerëzore. Shqiptarët duhet të vaksinohen me vaksina të sigurta, siç vaksinohen qytetarët e tjerë evropianë. Këtë duhet ta zgjidhte qeveria”, u shpreh Shehu.

Ish-ministri shtoi se “muajt e vjeshtës dhe dimrit, mund të jenë të rrezikshëm”.

“Shpresoj mos të jetë kështu, por përsëri jemi përpara rrezikut nëse vazhdojmë me mungesën e përgatitjes së sistemit shëndetësor dhe me vaksina të pasigurta. Gjithmonë duhet të bëhesh gati për më të keqen”, theksoi Shehu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos