Panik në bursë pas sulmit në rafineritë saudite, vazhdon rritja e çmimit të naftës

Nga A2 CNN
17 Shtator 2019, 14:54 | Bota
Panik në bursë pas sulmit në rafineritë saudite, vazhdon

Çmimi i naftës preku vlerat më të larta në 30 vjet pas sulmeve kundër rafinerive arabe që reduktuan me 5% furnizimet globale. Çmimi u rrit fillimisht me 20% në fillim të këmbimeve në tregjet elektronike, por në fund u ul në 14.6%.

E përkthyer në shira, 69 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara u rrit me 14.7%, niveli më i lartë ky që prej vitit 2008. Paniku në bursë u zbut disi pasi Presidenti amerikan Donald Trump u zotua të shtojë rezervat amerikane.

“Ne kemi një sasi të madhe nafte në vendin tonë, tashmë nuk varemi më nga askush. Jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë, kështu që sulmet ndaj rafinerive arabe nuk do të kenë asnjë ndikim në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.

Sulmet me dronë në zemër të industrisë saudite të naftës goditën rafinerinë më të madhe të përpunimit të naftës në botë, ashtu si edhe një fushë të afërt, të dyja nën operimin e gjigandit të energjisë Aramco. Së bashku ato kontribuojnë me 50% të rezervave të naftës në Arabinë Saudite, ose 5% të prodhimit ditor global. Mund të duhen ditë para se rafineritë t’i rikthehen punës plotësisht.  

Analistët parashikojnë se rritja e çmimit të naftës nuk do të ketë një impakt të menjëhershëm tek konsumatorët, e megjithatë nëse ndërprerja zgjat për më shumë se 6 javë, çmimi mund të arrijë në 75 dollarë për fuçi.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos