
Pas sulmeve me dronë të dy rafinerive në Arabinë Saudite, disa ditë më parë dhe deklaratave të presidentit Trump për të vënë në përdorim rezervat strategjike të karburanteve në Shtetet e Bashkuar, çmimi i naftës rritet në mënyrë stratosferike. Në mbylljen e bursës së Nju Jorku një fuçi naftë u shkëmbye për 62.9 dollarë ose me një rritje prej 14.8% ndërsa në atë të Londrës rritja shënoi shifrat 14.6%.
Arabia Saudite është një ndër eksportueset më të mëdha të naftës në botë dhe sulmet e fundjavës së kaluar dëmtuan prodhimin e 5.7 milionë fuçive në ditë që është gjysma e prodhimit vendas dhe 5% e prodhimit në mbarë botën. Kjo humbje e prodhimit është më e madhe se ajo e vitit 1979 gjatë revolucionin iranian dhe ajo e vitit 1990 kur Iraku i Saddam Huseinit pushtoi Kuvajtin.
Në këtë klimë tensioni që është krijuar, Kina ftoi SHBA dhe Iranin që të përmbahen nga deklaratat, me këtë të fundit që mohon kategorikisht të gjitha akuzat amerikane se është e përfshirë në këto sulme që zyrtarisht janë marrë përsipër nga rebelët houthi në Jemen. (A2 Televizion)