
Christian Panucci është i gatshëm të lërë Shqipërinë për të marrë drejtimin e Romës. Kështu shkruan e përditshmja italiane “Il Messaggero” shkruan në versionin e saj online.
Momentalisht trajneri i kombëtares është me pushime në Karaibe, por që nga përtej Atlantikut mund të shkaktojë befasinë më të madhe të këtij fundviti. Drejtuesit amerikanë të klubit verdhekuq po mendojnë për të ardhmen e trajnerit Di Francesco dhe në mendje kanë dy alternativa, Paolo Sousan dhe pikërisht Panuccin.
Ky i fundit mendohet se ka marrë një telefonatë nga një person i afërt me pronarin James Pallota, ndërsa marrëdhënia e tij me ish-drejtuesin e klubit Franco Baldini, vazhdon të mbetet shumë e mirë. Një plus tjetër për Panuccin është edhe miqësia me kapitenin De Rossi, që mund të ndikojë pozitivisht tek zgjedhja e tij.
Panucci ka një kontratë me Shqipërisë deri në nëntor 2019, kur edhe përfundojnë kualifikueset e Euro 2020. Por siç shkruan “Il Messaggero” ai do të shkojë të premten në Itali për të ndjekur ndeshjen e Romës kundër Parmës në “Tardini” ku mund të zhvillohet edhe një takim. (A2 Televizion)