
Papa Françesku ju nënshtrua një ndërhyrje të suksesshme kirurgjikale për shkak të një problemi në zorrën e trashë, bëri të ditur Vatikani. Siç thuhet në një deklaratë, 84-vjeçari reagoi mirë ndaj operacionit të realizuar në spitalin Gemelli në Romë. Kjo është hera e parë që Papa Françesku shtrohet në spital që prej zgjedhjes së tij në vitin 2013.
“Ati i Shenjtë u shtrua në spitalin Gemelli pasditen e së dielës dhe iu nënshtrua një ndërhyrje të planifikuar kirurgjikale për stenozë divertikulare simptomatike të zorrës së trashë. Papa ka reaguar mirë ndaj ndërhyrjes e cila u krye me anestezi të përgjithshme”.
Më herët gjatë së dielës, kreu i Selisë së Shenjtë ju drejtua mijëra besimtarëve në Sheshin Shën Pjetër duke njoftuar një vizitë në Hungari dhe Sllovaki gjatë muajit shtator. I lindur në Buenos Aires në vitin 1936, Papa Françesku ka humbur një pjesë të mushkërisë së djathtë në moshën 21-vjeçare. Ai vuan gjithashtu nga një problem në ije dhe shiatiku. Edhe Papë të tjerë janë trajtuar në spitalin Gemelli të Romës, përfshirë Gjon Palin e 2-të, i cili u operua atje pas plagosjes nga agresori turk Mehmet Ali Agca. (A2 Televizion)