
Franca vendos në alarm Bashkimin Evropian. Presidenti, Emmanuel Macron paralajmëroi Brukselin për një dështim të mundshëm të projektit politik evropian në rast se Unioni nuk mbështet ekonomitë më të goditura nga koronavirusi, si ajo e Italisë, për të nisur rimëkëmbjen.
Në një intervistë për Financial Times, shefi i Pallatit Elize përjashton çdo plan tjetër përveç krijimit të një fondi të përbashkët, i cili do të ishte më shumë një borxh i përbashkët me një garanci të gjithanshme për të financuar shtetet anëtare në bazë të nevojave të tyre.
Thirrja e tij ndaj Bashkimit Evropian, vjen pas pakënaqësive gjithnjë e në rritje të vendeve të bllokut për kundërpërgjigjjen e vonuar dhe jo adekuate ndaj pandemisë koronavirus. U desh më shumë se një muaj, që Brukseli të gjente dakordësinë për një plan ekonomik në ndihmë të shteteve evropiane më të prekura.
Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane po mundohet të shuajë pakënaqësitë duke pohuar se është e gatshme për çdo gjë në funksion të tejkalimit të krizës. Konfirmimi erdhi nga vetë presidentja Christin Lagarde.
“Banka Qendrore Evropiane është e gatshme të rrisë dimensionet e programeve të veta të blerjes së letrave me vlerë dhe të rregullojë përbërjen e tyre për sa kohë të jetë e nevojshme”, thekson Lagarde duke shtuar se do të vlerësohet çdo veprim dhe çdo kontingjent.
Megjithatë, pohoi se do të jenë të nevojshme dhe përpjekjet shtesë ndërkombëtare për të luftuar pasojat e shpërthimit dhe përhapjes së koronavirusit. Si shembull konkret, Lagarde përmendi masat kundër krizës ekonomike të propozuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. (A2 Televizion)