
Pavarësisht rritjes në numër deputetësh, partitë euroskeptike janë të përçara. Lideri i Partisë Brexit, Nigel Farage, për momentin përjashton pjesëmarrjen në grupin e Matteo Salvinit dhe Marine Le Pen, duke preferuar të mbajë në jetë aleancën me lëvizjen 5 Yje.
Megjithatë, për shkak të problemeve të brendshme të partisë italiane, kjo mund të ndryshojë shumë shpejt. Lideri i Lëvizjes 5 Yje, Luigi di Maio, ka kërkuar votëbesimin e partisë së tij. Partisë së Farage i mungon një delegacion kombëtar për të tejkaluar pragun në mënyrë që të themelojë një grup në Parlamentin Evropian.
Për pasojë, në javët e ardhshme mund të jetë i interesuar në arritjen e një aleance me Salvinin dhe Le Pen. “Ne do të mbajmë mundësitë tona të hapura. Prioritet kryesor kemi mbajtjen e grupit, por po bisedojmë me të gjitha partitë dhe po mbajmë mundësitë e hapura”, deklaroi Farage.
Ndërkohë, grupi i ardhshëm i sovranistëve dhe nacionalistëve në Parlamentin Evropian, i promovuar nga Salvini dhe Le Pen, do të përbëhet nga 73 eurodeputetë nga 9 shtete të BE-së.
Grupimi do të quhet Aleanca Evropiane e Kombeve dhe e Popujve dhe do t’i besohet dy bashkë presidentëve, një Italian dhe një francez. (A2 Televizion)