Është mbyllur në barazim 1-1 ndeshja e luajtur mes Partizanit dhe Teutës e vlefshme për javën e shtatë të Kategorisë Superiore. Një ndeshje pa shumë ritëm e shkaktuar ndoshta dhe nga mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit për shkak të dënimit që “Të kuqtë” morën gjatë kësaj jave për shkak të incidenteve mes tifozerive në derbin përballë Tiranës.
Avdyli shënoi i pari për durrsakët në minutën e 35 të takimit për t’u barazuar disa minuta më vonë nga Trashi. Duhet thënë që Partizani për më shumë se 60 minuta luajti me një lojtar më pak për shkak të dënimit me të kuq të Romeros. Pjesa e dytë nuk shënoi raste të shumta, me të dyja ekipet të vendosura mirë në mbrojtje për të mos humbur pikën e marrë. Ky takim i rëndësishëm dhe për kreun e klasifikimit u ndoq nga shkallët e stadiumit dhe nga trajneri i Kombëtares, Eddy Reja.
Në ndeshjen tjetër, Tirana humbi 3 pikë të rëndësishme në transfertën përballë Flamurtarit në minutat e fundit të takimit. Bardheblutë po fitonin me rezultatin 1-2 ndaj vlonjatëve dhe pikërisht atëherë kur mendohej se kishte mbaruar gjithçka vjen dhe goli i barazimit në minutën e 92-të me anë të Hoxhaj. Flamurtari vazhdon të renditet në vend të fundit me vetëm 2 pikë.
Në Korçë, Skënderbeu vendas fitoi me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Luftëtarit me dy gola që erdhën pikërisht në fund të takimit. Korçarët tashmë renditen në vend të parë dhe janë në pritje të ndeshjeve të nesërme të Bylisit dhe Kukësit. (A2 Televizion)