
Partizani luan ndaj Vllaznisë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, për të synuar vendin në finale, por edhe për të thyer tabunë. Të kuqtë nuk fitojnë prej 20 muajsh ndaj shkodranëve, teksa në këtë sezon kanë humbur një ndeshje dhe barazuar dy të tjera.
Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit, u shpreh në konferencën për shtyp: “Nuk mund ta paragjykoj ndeshjen, kanë historitë e veta. Nuk e mendoj se kundërshtari do na mundë me 2 apo tre gola. Të mendojmë për nesër dhe jo për atë të ardhshmen. Vllaznia bën një lojë atraktive dhe të lë të luash. E respektojmë. Ndeshja të spostohej në datë tjetër, kemi një lojtar të dëmtuar dhe dy që luajtën dje me Shpresat. Është ngarkesë e madhe për lojtarët. Duhet të ishte llogaritur më ndryshe, që gara të ishte e barabartë”.
Ndërsa mbrojtësi Egzon Belica tha: “Kemi luajtur edhe më parë kundër Vllaznisë, edhe pse s’kemi fituar. Ndeshja, ndeshjes nuk i ngjan. Do të jetë histori tjetër nesër. Do të bëjmë më të mirën. S’duhet të mendojmë për ndeshjen e dytë. T’ia bëjmë më të lehtë vetes ndeshjen e dytë në Shkodër”.
Vllaznia kthehet në fushë pas humbjeve me Tiranën dhe Egnatian në kampionat. Te kuqeblutë, ku mungon Gurishta, objektivi mbetet triumfi në Kupë dhe sigurimi i një bilete në kupat e Europës. Trajneri Elvis Plori deklaroi: “Kemi pritur për këtë mundësi, një sfidë me ta është gjithmonë e rëndësishme. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të fitojmë, është një kompeticion me dy takime. Kërkojmë të jemi në finale, ndeshja është e fortë sepse edhe Partizani këtë do. Kemi një emër të madh përballë, edhe ne jemi Vllaznia dhe hyjmë në fushë për maksimumin. Jemi të fortë dhe duam të marrim maksimumin”.
Liridon Latifi, futbollist i Vllaznisë, theksoi: “Dua të jem vendimtar dhe të ndihmoj skuadrën. Me Skënderbeun nuk e kam fituar Kupën, dua ta fitoj te Vllaznia. Duhet të japim më të mirën tonë për këtë synim. Nuk kemi nisur asnjë bisedim për sezonin e ardhshëm sepse jemi në fazën më të vështirë të kampionatit dhe nuk kemi kohë të merremi me këto biseda. T’ia lëmë kohës”.
Sfida e parë ndërmjet Partizanit dhe Vllaznisë luhet këtë të enjte, në orën 17:45, në “Elbasan Arena”. (A2 Televizion)