Pas humbjes në derbi, Ilir Daja largohet nga stoli i Partizanit

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 13:21 | Futboll
Pas humbjes në derbi, Ilir Daja largohet nga stoli i Partizanit

Humbja në derbi ishte goditja finale. Menjëherë, pasi Partizani u thye nga Tirana, Ilir Daja paralajmëroi dorëheqjen.

Pas deklaratës, trajneri u takua me drejtuesit e Partizanit, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për ekipin, që në 15 javët e para të Kategorisë Superiore ka grumbulluar vetëm 18 pikë.

Në fund të diskutimit, u vendos që palët të ndjekin rrugë të ndryshme, duke konfirmuar se Ilir Daja nuk do të jetë më në krye të stolit të kuq.

Aventura e nisur përpara një sezoni e gjysmë u ndërpre, me ekipin që nuk arriti të fitonte asnjë trofe. Me kampionatin që rinis më 15 janar, klubi ka kohë që të gjejë një zëvendësues, i cili ka detyrën t'i kthejë në nivelin e pretenduar.

Deri në atë kohë, skuadra do të stërvitet nën drejtimin e Dritan Mehmetit. Partizani e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e pestë, me 18 pikë, duke qenë më pranë zonës së rënies nga kategoria se objektivit minimal të sezonit, që është pjesëmarrja në kupat e Europës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos