
Prindërit e fëmijëve më autizëm kërkojnë mbështetje reale nga shteti. Qendrat në shërbim të tyre janë shumë të pakta, nuk ofrojnë terapitë e duhura, gjë që shumë familje janë detyruar t’i kryejnë privatisht.
Eglantina Bajrami, drejtuese e klubit të prindërve që i bashkon i njëjti problem, flet për sakrificat e pafundme të familjeve për të integruar fëmijët e tyre. Askush nuk do të dorëzohet, por shumë janë nënshtruar nga varfëria, pasi kanë shitur gjithçka kishin.
Deri 1 milion lekë të vjetra në muaj i duhen një familje për të kryer terapitë e nevojshme për fëmijën më autizëm.
Eglantina tregon se janë të shumtë fëmijët që nuk marrin shërbimet e duhura për shkak të pamundësive financiare të prindërve. Ndërsa shteti dhe politikat e tij bëhen inekzistentë kur këta fëmijë mbushin 18 vjeç. Nuk u ofrohet asnjë shërbim apo trajtim specifik pas të 18-ve.
Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta për numrin e fëmijëve më autizëm. Të dhënat e marra nga shkollat flasin për rreth 1800 fëmijë të deklaruar më çrregullime të spektrit autik, por numri real mendohet te jete disafish më i lartë. Ndryshe nga shtetet e tjera të Europës ku trajtimi është i veçantë për autizimin, në Shqipëri prindërit e këtyre fëmijëve i shoqëron e njëjta pyetje dhe frikë. “Ku do të shkojnë fëmijët tanë pasi të vdesin ne, kush do të kujdeset për ta”? (A2 Televizion)