
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja në ngarkim e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtuesit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela, është regjistruar pranë Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në ditët në vijim, dosja do të hidhet në short për përzgjedhjen e trupit gjykues. Dosja ndaj Tahirit e Çelës do të rigjykohet në Apel, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.
Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij, Jaeld Çela, kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.
Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë. (A2 Televizion)