
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme sekuestroi disa pasuri te patundshme të dy ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe një ish-gjyqtari të lartë të shkarkuar nga vetingu.
Tre ish-gjyqtarët po hetohen nga SPAK prej majit të vitit të kaluar për veprën penale të “mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë”.
Hetimi ndaj tyre nisi pas një kallëzimi të avokatit Fran Dashi, i cili ngriti dyshime për ta dhe disa ish-kolegë të tyre të shkarkuar nga vetingu për përfshirje në korrupsion.
Paralelisht, filtrimi i tyre nga ligji anti-mafia, çoi prokurorët e SPAK në kërkimin e ngrirjes së disa pasurive të tyre, me qëllim mos tjetërsimin e tyre.
Sipas SPAK, ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja, iu sekuestrua një apartament, ish-gjyqtarit kushtetues, Fatos Lulo, një dyqan, ndërsa ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, pjesa takuese e pasurisë në tre sipërfaqe trualli dhe 2 karburante në Vlorë.
Për ligjshmërinë e të njëjtave pasuri, ish-anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë nuk bindën më herët as trupat e vetingut, që i përjashtuan nga sistemi i drejtësisë. (A2 Televizion)