Pastrohen tonelata mbetjesh plastike në Bali të Indonezisë

Nga A2 CNN
4 Janar 2021, 08:46 | Bota

Tonelata plehrash janë pastruar në plazhin e famshëm Kuta të Balit, duke bërë që vendasit të kalojnë ditën e parë të vitit të ri duke organizuar pastrimin.

Banorët nga zona Badung në ishullin indonezian pastruan 30 tonë mbeturina detare nga plazhi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Antara.

"Rreth 70% e mbeturinave detare janë mbetje plastike", i tha agjencisë koloneli Made Mahaparta nga Komanda Ushtarake Rajonale Udayana.

Plehrat u ngarkuan në kamionë dhe u transportuan në një vend depozitimi mbetjesh. Sipas kreut të Zyrës së Mjedisit, plehrat plastike dhe mbeturina të tjera detare në vend pastrohen çdo vit, ndërsa e adresoi problemin te keqmenaxhimi i mbetjeve.

Ndotja e plastikës është një çështje serioze në Indonezi. Në nëntor 2018, një balenë e ngordhur u gjet afër ishullit Kapota në Parkun Kombëtar Wakatobi, afër Sulawesi, me 6 kg mbeturina plastike në stomak.

Në prill, qeveria indoneziane nisi një plan për të ulur në mënyrë drastike mbetjet plastike në vend, njoftoi Antara. Ajo planifikon të shkurtojë mbetjet plastike të oqeanit me 70% deri në vitin 2025 dhe të heqë ndotjen plastike deri në 2040.

Megjithëse Kuta Beach përballet me këtë çështje çdo vit, ndryshe nga vitet e kaluara, shumë më pak turistë janë parë rreth tij për momentin. Si shumë destinacione të njohura, Bali është goditur rëndë nga pandemia Covid-19 dhe mbetet e mbyllur për turistët ndërkombëtarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos