Pasuritë e Maradonës dalin në ankand për të paguar borxhet

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2021, 10:28 | Futboll

Shumë objekte luksoze përfshirë shtëpi dhe makina që dikur i përkisnin legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, do të dalin në ankand në Argjentinë, muajin e ardhshëm.

Vendimi për të shitur një pjesë të pasurisë u mor nga fëmijët e Maradonës të cilët duhet të paguajnë disa nga borxhet e babait të tyre, si dhe taksat dhe pagesat për mirëmbajtjen e makinave dhe shtëpive.

Sipas gazetës Express, Maradona, i cili fitoi plot 43 milionë dollarë gjatë viteve 1984 dhe 1991, nuk kishte më shumë se 100 mijë dollarë në llogaritë e tij kur ndërroi jetë vitin e kaluar.

Objekti më i rëndësishëm në këtë ankand do të jetë një vilë në Argjentinë, të cilën Maradona ua dhuroi prindërve të tij pasi nënshkroi me Boca Juniors. Ndërtesa e përbërë nga 6 dhoma gjumi, një pishinë dhe kopsht gjigant do të ketë një çmim fillestar prej 900 mijë dollarësh.

Një tjetër shtëpi e yllit të futbollit që do të dalë në shitje është e vendosur në Mar de Plata, por ajo ka një çmim më të ulët që nis nga 65 mijë dollarë.

Mes objekteve që do të shiten më 19 dhjetor është dhe një BMW 750 I e cila vlen 225 mijë dollarë. Sipas ekspertëve, kjo makinë është shumë e veçantë dhe në Argjentinë ka vetëm 5 të tilla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos