Patronazhistët e PS dhe pagat, PD kritika Komisionerit: Dështuat në mbrojtjen e të dhënave personale

Nga A2 CNN
13 Prill 2022, 13:59 | Politikë
Patronazhistët e PS dhe pagat, PD kritika Komisionerit: Dështuat

Opozita cilësoi punën e Komisionerit për Mbrotjen e të Dhënave Personale si të dështuar. Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve të raportit vjetor të këtij institucioni, PD-ja u shpreh se Komisioneri nuk i mbrojti të dhënat e qytetarëve nga patronazhistët e PS-së, ndërsa Besnik Dervishi justifikoi punën, duke nënvizuar se të gjitha gjetjet ia ka referuar SPAK-ut dhe Prokurorisë.

Puna e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk mori nota lavdëruese nga opozita në Komisionin e Ligjeve. Gjatë prezantimit të raportit për veprimtarinë e institucionit për vitin 2021, Besnik Dervishi evidentoi si problematika kryesore daljen në publik të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, fillimisht nëpërmjet regjistrit të patronazhistëve, më pas listëpagesat dhe targat e automjeteve.

“Zyra e Komisionerit, me përfundimin e hetimit administrativ, ka pasur një komunikim me SPAK dhe organin e Prokurorisë, ku të gjitha gjetjet që janë konstatuar, së bashku me aktet përfundimtare, janë vënë në dispozicion të organit të hetimit”, tha Dervishi.

Rrjedhja e të dhënave personale të qytetarëve është futur në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, që nga ai i ODIHR për zgjedhjet parlamentare, deri tek ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku cilësohet si çështje shqetësuese.

Mosgjetja e autorëve për opozitën bën me faj edhe Komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Dhurata Çupi tha: “Ju jeni një institucion i dështuar sa i takon kësaj. Rrjedhja e të dhënave personale, përfshirja, preferencat politike, rrjedhja më pas e të dhënave personale për pagat apo targat e makinave, janë ngjarje të rënda sa i takon të mirës publike”.

Mazhoranca nga ana e saj nuk mbajti qëndrim, duke nënvizuar se notat finale do t’i vendosë në rezolutën që do t’i propozojë për miratim Kuvendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos