
“Shteti shqiptar sot është një shtet i dështuar, pasi nuk arrin të përmbushë kushtet minimale të kontratës sociale. Këto të dhëna që kanë dalë janë një nevojë ulëritëse që njerëzit ta kishin shkulur qeverinë nga godinë, pasi qeveria ka keqpërdorur në mënyrë më të paturpshme të dhëna që qytetari i dorëzon me mirëbesim te qeveria. Reagimi i qeverisë nuk është një sjellje shtetërore, por e një banditi të kapur në faj. Këto të dhëna i ka AKSH janë Tatimet dhe Sigurimet Shoqërore. Njerëzit që punojnë atje duhet të ishin thirrur për t’u marrë në pyetje. Shteti shqiptar nuk e ka bërë këtë gjë”.
Kështu u shpreh Dritan Shano në Absolut 4 teksa komentoi skandalin e fundit të publikimit të pagave. Shano u shpreh më tej se të dhënat që kanë dalë e acarojnë tej mase shoqërinë.
“Çdo e dhënë që është në posedimin tënd pa miratimin tim është krim. Pagat publike mund t’i aksesosh, por pa emër personi, pasi ka një limit ku mbaron liria e hulumtuesit dhe fillon privatësia e atij tjetrit. Kjo që ka ndodhur te sektori privat është skandaloze. Nuk mund të dijë pagën time ai që kam unë në krah. Paga është individuale, kur ti e nxjerr këtë në publik, ke filluar acarimin shoqëror. Qeveria është e ngarkuar të mbajë paqen sociale”.
Për Dritan Shanon, ky skandal është kthim të gjyqet popullore. “Kjo e ndalon biznesin, krijon probleme. Ky është një mosbesim total. Ky është një kthim te gjyqet popullore nëpër lagje, ku shqiptarët dukej se jetonin në harmoni, por nuk besonin asnjë fjalë te njëri-tjetri”, u shpreh Shano. (A2 Televizion)