
Pavarësisht vendimeve të marra të enjten në Këshillin Kombëtar të thirrur nga Gazment Bardhi online, ajo pjesë e PD-së që mbështet Lulzim Bashën do të mbajë nesër zgjedhjet.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana bëri të ditur se fletët e votimit janë shpërndarë në të gjitha vendvotimet për 29 korrikun kur do të zgjidhet kreu i ri i partisë.
“Janë përcaktuar vendvotimet. Rezulton se, 36 degë, anëtarësia do të votojë në zyrat e degëve të PD....Në 19 degë janë marrë me qira ambiente private në të cilat do të votohet. Ftesa e kryesisë së PD, ftesa ime në emër të komisionit elektoral të PD është t’i bashkëngjiten nesër procesit të votimit.”
Gjana theksoi se thirrja për të votuar është statutore, ndonëse në mbledhjen e së enjtes u vendos e kundërta, teksa shtoi se të vetmit që nuk mund të votojnë janë ata anëtarë që i përkasin grupit të Rithemelimit.
Edhe pse grupimi i Lulzim Bashës e ka bërë çdo gjë fakt të kryer dhe po vijon me përgatitjet për zgjedhjet e së shtunës, të enjten mbrëma Këshilli Kombëtar vendosi që këto zgjedhje të mos mbahen.
Në këtë mbledhje, ku sipas Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi morën pjesë 245 anëtarë, u pezullua gjithashtu edhe veprimtari a e Kryesisë.
Menjëherë pas përfundimit të kësaj mbledhje, Partia Demokratike me anë të Sekretarit për çështjet ligjore, Indrit Sefa, njoftoi se nuk do të njihte asnjë vendim të Këshillit Kombëtar, që sipas tyre ishte imagjinar duke shtuar se zgjedhjet për kryetarin e ri do të mbahen në 29 Korrik sipas parashikimeve. (A2 Televizion)