
Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar dhe mandatimit që të kryejnë të gjitha veprimet në gjykatat e vendit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD, deputetët që mbështesin Bardhin nuk kanë humbur kohë dhe e kanë dorëzuar kërkesën. Deputeti Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja dorëzuan në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të hequr emrin e Bashës nga regjistri i partive politike, si një përpjekje e radhës për të ndalur zgjedhjet e 29 Korrikut.
“Ne i kemi kërkuar sot gjykatës në zbatim të vendimeve të këshillit kombëtar të djeshëm që të vijojë procedurat ligjore sipas ligjit për partitë politike. PD është parti e mijëra anëtarëve dhe sakrificës së tyre për 32 vite. Askush nuk ka të drejtën të privatizojë sakrificën e tyre duke e kthyer PD-në në parti private për interesa personale. Anëtarët e PD duhet të kenë vetëm një synim; si ta forcojnë dhe ta kthejnë në alternativë qeverisëse. Në këtë dosje janë të gjitha vendimet e marra dje në Këshillin Kombëtar”, u shpreh Nallbati për mediat. (A2 Televizion)