Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga mbledhja e kabinetit qeveritar në Tepelenë. Në një status në Facebook, kreu i qeverisë shprehet për “reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi”.
“Tepelenë, çaste nga mbledhja e zgjeruar e qeverisë që do të zgjasë dy ditë. #VetëmPërpara”, shkruan Rama.
Pas ndryshimeve në kupolën drejtuese të PS-së, kryeministri Rama ka mbledhur kabinetin qeveritar në Tepelenë. Ai ka thirrur ministrat në një takim jo formal që do të mbahet për dy ditë me radhë në zonën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë.
Kreu i qeverisë mbërriti sot rreth orës 11:00, bashkë me anëtarët e kabinetit të tij, që shfaqeshin një nga një pranë ambientit ku do të mbahet mbledhja këtë fundjavë. Takimi vjen në fund të një sezoni të ngjeshur, ku do të bëhet një analizë e punës së kabinetit dhe pritshmërive për muajin shtator, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë surpriza të tjera si ajo e ndyshimeve në kupolën drejtuese të partisë. (A2 Televizion)






