
Në shtator, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet për të marrë një vendim për përjashtimin ose jo nga partia të Arben Ahmetaj, ish-numri 2 i qeverisë, në kërkim për aferën e inceneratorëve.
Blendi Klosi, tashmë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, në ditën e tij të parë të punës, tha se ky vendim i rëndësishëm për fatin e Ahmetajt në parti është ekskluzivitet i grupit parlamentar dhe pritet të diskutohet në sesionin e ri në shtator.
“I takon grupit parlamentar që në mbledhjen e tij të parë në fillim të sezonit të ri parlamentar dhe të kongresit të partisë që me gjasa do e kemi në shtator, do marrim vendime të plotë për çështjet që shqetësojnë, një prej tyre dhe ajo për të cilën ju përmendët (inceneratorët), por është ekskluzivitet i atij grupi”, tha Klosi.
Kryeministri Edi Rama vendosi asokohe përjashtimin nga PS-ja të Saimir Tahirit teksa Prokuroria vijonte hetimet, mirëpo deri tani nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Arben Ahmetajn. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar lidhur me aferën e inceneratorëve. (A2 Televizion)