
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri komentoi në Debat në A2 CNN protestën e parë të thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër nismës “Open Balkan” dhe keqqeverisjes së Edi Ramës.
Strazimiri e cilësoi si shumë të kënaqshme organizimin e protestës dhe pjesëmarrjen në të, duke qenë se u thirr në një kohë mjaft të shkurtër.
“Kjo ishte një protestë e kënaqshme pasi u organizua me një thirrje në Facebook. Nuk patëm shumë kohë. Ishte thjesht një thirrje, disa mijëra vetë u përgjigjën. Nuk prisja kaq shumë njerëz duke qenë se ishte e hënë dhe brenda orarit zyrtar të punës si në privat dhe shtet.
Ky është vetëm fillimi. Është fillim i mirë. Ne vijmë nga 72 orë intensive. Referendumi, nxjerrja e procesverbaleve, pra kemi pasur gjysmë ditë për të punuar për këtë protestë. Mesazhet ishin të forta. Ato nuk ishin të ndara. Ato ishin kundër kujtdo që është në krah të Edi Ramës”, u shpreh Strazimiri.
Ish-deputeti demokrat komentoi dhe mospjesëmarrjen e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij në këtë protestë, duke u shprehu se ata janë në marrëveshje me Edi Ramën dhe nuk mund të dalin kundër tij.
“Nuk mund të protestojnë ata që janë në marrëveshje me njëri-tjetrin. Ju e quani PD zyrtare. Është më mirë ta quani pakicën e mbetur në piramidën e drejtimit, krejtësisht e padenjë. Njerëz që janë në borxh deri në fyt me demokratët dhe shqiptarët. Kështu që nuk kam pasur dyshim”, deklaroi Strazimiri. (A2 Televizion)