
Ndryshe nga socialistët, demokratët nuk shohin arsye për një ndërhyrje të ambasadorëve me qëllim nxitjen e dialogut për Reformën Zgjedhore.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha për A2: “Opozita do të jetë, nuk ka munguar apo refuzuar ndonjëherë. Përpara se zoti Gjiknuri të kërkojë nxitjen e opozitës, do të duhet të shqyrtojë propozimet e paraqitura nga opozita, për të cilat nuk ka vendimmarrje”.
Ftesave të mazhorancës, numri dy i Partisë Demokratike i përgjigjet me të njëjtin format: “Thirrja ime për mazhorancën është që të mos bëhet pengesë për të realizuar një reformë reale, për të garantuar standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të heqë dorë nga manovrat për manipulimin, vjedhjen apo blerjen e zgjedhjeve”.
Skadenca e re e fundqershorit është një tjetër element që bën skeptik demokratët mbi vullnetin e mazhorancës: “Ka pasur një zvarritje tërësore të procesit nga ana e mazhorancës, mungesë vullneti për të shqyrtuar propozimet e opozitës dhe tani shohim një afat të ri. Qëndrimi jonë ka qenë dhe mbetet: Reforma Zgjedhore duhet të mbyllet një orë e më parë”.
Pavarërisht angazhimit për reformën, demokratët vijojnë të kenë në krye të agjendës politike situatën e Covid-19. Kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi këtë të hënë kryesinë e vogël, ku në fokus kanë qenë masat dhe propozimet konkrete për epideminë. (A2 Televizion)