Reforma Zgjedhore, ku ngeci konsensusi për Kodin Elektoral?

Nga A2 CNN
3 Maj 2020, 15:20 | Politikë
Reforma Zgjedhore, ku ngeci konsensusi për Kodin Elektoral?

Krahas Komisionit të Reformës Zgjedhore pritet të riaktivizohet dhe tryeza e negociatorëve, ku bëjnë pjesë PD dhe LSI. Ajo ishte struktura jashtëparlamentare që negocionte dhe hartonte ndryshimet në Kodin Elektoral, por u ndërpre për shkak të pandemisë më 9 mars dhe me shumë çështje të mbetura pezull për konsensus.

Ndër to, depolitizimi i administratës së zgjedhjeve, që mbledhjen e fundit çoi në krisjen e fortë të konsensusit që kishte shoqëruar deri më atëherë tryezën e Reformës Zgjedhore.

PD kishte prezantuar një paketë ndryshimesh në përbërjen e komisioneve zgjedhore. Por, tek ajo formulë, socialistët thanë se gjenin përpjekjen për skemën politike të administrimit zgjedhor.

Ndër propozimet e hedhura në tryezë nga opozita parlamentare janë 4 formula për ndryshimin e sistemit. Ndërsa nga ajo jashtëparlamentare janë 3 propozime ligjore që forcojnë rolin e policisë pranë qendrave të votimit, krijojnë grupe të posaçme pranë Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e krimeve elektorale, ku përfshihet edhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.  

Për të gjitha këto propozime do të informohen dhe anëtarët e Komisionit të Reformës Elektorale, i cili mblidhet pas shumë kohësh të mërkurën orën 9:00. Por, ndonëse më herët palët kishin marsin si afat për të gjetur konsensusin në Kodin Zgjedhor, këtë radhë duke se nuk ka ngutje pasi gjendja e jashtëzakonshme zgjat deri më 23 qershor.

Dhe, sipas nenit 170 pika 5 e Kushtetutës, nuk mund të ndryshohet Kodi Elektoral gjatë kohës kur vendi ndodhet në këtë status.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos