
Pas rritjes së pagave të mjekëve specialistë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar rritjen e radhës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Sipas kreut të qeverisë duke filluar nga muaji prill mjekët e familjes dhe infermierët do të kenë rritje 7% mbi pagën. Ndërsa një tjetër rritje do të ndodhë prillin e 2024.
“Ne kemi bërë një rritje të pagave për mjekët specialist dhe nga ana tjetër kemi një zotim për rritjen me 7% të pagave për mjekët e infermierët në tërësi. Kjo do të bëhet për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Paga e mjekëve të përgjithshëm, do të rritet me 59 mijë lekë, këto bishtat mos i merrni fiks se mund t’ju ndryshojnë. Paga e infermierit do të shkojë 72 mijë, por ky është hapi i parë se në harkun midis dy prillave do e plotësojmë kuadrin, për momentin mjekët shpresoj nuk do të kërkojnë më shumë. Mjekët specialistë në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë, ndërsa mjekët e përgjithshëm do të shkojnë 131 mijë lekë dhe infermierët 87 mijë”, tha Rama. (A2 Televizion)