
Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi ishin në Durrës në fushatë zgjedhore. Për drejtimin e bashkisë, ata mbështesin kandidatin Igli Cara, ndërsa për këshillat bashkiakë kërkojnë mbështetje për listat e tyre respektive.
“Zoti Cara është njeri me integritet dhe përfaqësues i të gjitha forcave opozitare”, tha Agron Duka.
“Unë them se opozita i ka të gjitha numrat për të fituar në zgjedhje. Unë gjykoj zotëri si Igli, si ai djali në Tiranë, Elbasan, janë e ardhmja e politikës. Bashkë me Durrësin fitojmë edhe shpresën”, tha Dashamir Shehi.
“Të thyejmë tabutë duke parë politikanët si Zot. Opozita nuk mund të jetë pronë e askujt. Opozita nuk është pazar, por ka detyrën e parë të bashkohet dhe të bashkojë shqiptarët. Ne duhet ta bëjmë me patjetër. Bashkë me shqiptarët, për Shqipërinë. Me Iglin, të gjithë bashkë për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë”, tha Mediu. (A2 Televizion)