
Partia Demokratike e Kosovës skanoi 100 ditët e para të qeverisë Kurti II. Në drejtim të ekzekutivit u lëshuan një lumë kritikash, duke e cilësuar atë të dobët dhe zhgënjyes. Ndërsa pati edhe akuza për tentativë për kapjen e institucioneve të pavarura.
“Kemi parë një tendencë për të kapur të gjitha institucionet, për më pak se 100 ditë të gjitha ndërmarrjet publike i ka kapur kjo qeveri, ka filluar edhe tek institucionet e pavarura”, u shpreh Betim Gjoshi, anëtar i Kryesisë së PDK-së.
Kritika edhe për përfshirjen e Kurtit në politikën në Shqipëri.
“U shoqërua për këto 100 ditë me gafa dhe skandale të shumta si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Ende edhe sot jemi vendi që kemi më së paku vaksina për kokë banori. Derisa është dashur të merret me vaksina, kjo qeveri është marrë me fushatë zgjedhore në një vend tjetër”, shtoi Gjoshi.
Qasjen e re për dialogun me Serbinë, PDK e konsideron të gabuar.
“Realisht ishin më shumë improvizime se sa propozime. Qytetarët e Kosovës nuk i kanë brengë ato që i ka propozuar kryeministri para delegacionit serb në Bruksel. Ai fillimisht është dashur të marrë mandatin në Kuvendin e Kosovës, është dashur të arrijë një konsensus me partitë politike edhe është dashur ta paraqesë programin dhe vizionin çfarë pret nga bisedimet. Asnjëra nga këto nuk është përmbushur, i ka paraqitur katër pika që kanë qenë më shumë për konsumim ditor”, deklaroi zyrtari Gjoshi.
Më tej, zyrtari i PDK-së tha se nëse Valdete Daka nuk dërgon në kushtetuese shkarkimin nga drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes Avokatit të Popullit, një gjë të tillë do të bëjë partia e tij.
“Presidentja ka ndërhyrë direkt në institucion të pavarur, një ditë para se të shpallë zgjedhjet. Ka qenë kundër kushtetuese dhe jo e nevojshme”. (A2 Televizion)