
Miliona vetë në kryeqytetin kinez po jetojnë nën masa kufizimi, mes valës së re të pandemisë koronavirus.
Autoritetet në Pekin raportuan 31 raste të reja të mërkurën, duke e çuar totalin në 137 infektime gjatë javës së fundit. Para rishfaqjes së virusit, kryeqyteti kinez nuk kishte pasur raste të brendshme për 57 ditë.
Vatër e shpërthimit të ri besohet të jetë tregu ushqimor i Xinfandi, furnizues i 80 për qind të mishit dhe perimeve në kryeqytet.
Të paktën 27 lagje janë klasifikuar si me rrezik të mesëm, ndërsa te njëra që gjendet pranë tregut, rreziku konsiderohet i lartë. Salmoni i importuar nga Europa besohet të jetë përgjegjës për valën e re. Megjithatë autoritetet e Pekinit thonë se nuk ka prova që të vërtetojnë se salmoni të jetë bartës i koronavirusit.
“Deri më tani nuk ka prova që të tregojnë se salmoni është bartës ose transmetues i koronavirusit të ri. Por gjithsesi nëse jeni i rrezikuar për shkak të ekspozimit ndaj virusit apo keni pasur kontakt me pacientë të dyshuar duhet të monitoroni gjendjen tuaj shëndetësore”, u shpreh Shi Guoqing, zv. drejtor i Qendrës së Emergjencës.
Banorët në zonat me rrezik të mesëm e të lartë nuk mund të largohen nga qyteti, ndërsa ata në zonat me rrezik të ulët mund të largohen, por vetëm nëse do të rezultojnë negative ndaj testit. Megjithatë testimi po bëhet i vështirë ndërsa në tri pika testet do të mungojnë deri në korrik.
Më shumë se 1200 fluturime u anuluan nga dhe për në qytet ndërsa shërbimet hekurudhore janë reduktuar deri në të paktën 9 korrik. Niveli i dytë i alarmit është në fuqi; shkollat janë pezulluar, ekipet sportive nuk mund të luajnë dhe janë mbyllur gjithashtu pishinat e palestrat. Megjithatë, rrugët vijojnë të jenë të hapura dhe puna vazhdon në kompani e fabrika. (A2 Televizion)