Pendesa e Xhelal Mziut, Yuri Kim: Më vjen mirë që pashë një kërkesë faljeje nga Dibra. Dhuna e Elbasanit nuk duhet të përsëritet

Nga A2 CNN
23 Prill 2021, 11:39 | Politikë
Pendesa e Xhelal Mziut, Yuri Kim: Më vjen mirë që pashë

Ambasadorja amerikane ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu. Gjatë një tubimi në Dibër, Mziu u tha mbështetësve: “Nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”. Më pas ai kërkoi falje për fjalët e thëna, duke shprehur keqardhje.

“Më vjen mirë që pashë një kërkesë faljeje të pastër nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë stemën e çdo partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të shkuarës – një e shkuar e shëmtuar të cilën të gjithë ne duhet ta refuzojmë”, shkruan ambasadorja amerikane në Twitter.

“Incidenti nuk duhet të përdoret për të sulmuar dhunshëm njërën palë, apo tjetrën, për të nxitur emocione mes mbështetësve. Por duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë për mënyrën sesi mund të drejtojnë Shqipërinë larg të shkuarës dhe drejt një të ardhme më të mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos