Kush qëlloi i pari në Elbasan? Kasapi: Policia nuk jep informacion, duhet të bëjë transparencë
Ngjarja më e fundit që ndodhi një ditë më parë në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe 4 të tjerë u plagosën, është diskutuar në studion e “Absolut 4”. Për gazetarin e A2 CNN Juli Kasapi, kjo është një ngjarje e rëndë dhe me prapavijë politike, për të cilën policia duhet të bënte transparencë dhe jo të mjaftohej sot , 24 orë pas ngjarjes, që të thoshte se ishte konflikt që përfundoi me një viktimë dhe 4 të plagosur.
“Unë e quajta që prej ditës së djeshme si sprovë të policisë pasi duke qenë një ngjarje e rëndë dhe me prapavijë politike, por ajo që duhet të sqaronte policia nuk ishte momenti i parë dhe i fundit, por se kush qëlloi, nëse kishim të shtëna nga simpatizantët e PS apo të ish- efektivit të RENEA-s. Nuk tha asgjë sa i takon dinamikës së ngjarjes, u mjaftua me konflikt që përfundoi me një të vrarë dhe 4 të plagosur. U bë e njëjta pyetje se kush qëlloi i pari dhe si nga drejtori i policisë dhe prokurori, përgjigjja ishte se çështja mbetet nën hetim dhe për ngjarje kaq sensitive policia nuk jep informacion. Ka ardhur koha për transparencë, kemi një të vrarë dhe 4 të plagosur dhe mendoj që policia duhet të bëjë transparencë”. (për më shumë)
Ngjarja në Elbasan, Hajdarmataj: Policia dhe Prokuroria palë në manipulim, të delegohet prokuror tjetër për hetimet
“Policia është futur në amulli manipulimi dhe prokuroria e Elbasanit është palë në manipulim dhe nuk duhet të përfshihet në hetime”. Këtë qëndrim ndau në studion e “Absolut 4”, ish- drejtuesi i lartë i Policisë Arben Hajdarmataj, lidhur me ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë një person dhe 4 të tjerë u plagosën. Sipas tij Policia ka detyrimin ligjor që të informojë dhe të mos lërë median, apo qytetarët që të hamendësojnë. (për më shumë)
Ngjarja në Elbasan, Bajrami: Policia nuk pohoi nëse efektivët kanë vepruar, ose jo
Shumë pika të errëta shikon gazetari i A2 CNN Armand Bajrami sa i takon deklaratës zyrtare të Policisë ditën e sotme në lidhje me ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive e forcave Shqiponja. Në studion e “Absolut 4”, ai tha se në konferencën e sotme për shtyp, nuk u tha asgjë mbi rolin e drejtuesve të Policisë, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje. Po kështu nuk pohohen veprimet konkrete të punonjësve të policisë, të cilët e kanë detyrim ligjor të veprojnë në situata të tilla. (për më shumë)
Strukturat e Mbrojtjes së Votës, Hajdarmataj: Nuk janë struktura kriminale
Arben Hajdarmataj, ish- drejtuesi i lartë i Policisë, shpjegoi në “Absolut 4” në A2 se çfarë janë Strukturat e Mbrojtjes së Votës.
“Zoti Gazment Bardhi përdor termin “strukturë”, por tjetër gjë është struktura e mirorganizuar dhe tjetër gjë janë disa persona, ish-punonjës policie, që janë atashuar pranë shtabeve elektorale. Unë mendoj se kjo është e drejta e çdo qytetari, që të punojë nëpër shtabe elektorale. Komente si “struktura kriminale” apo “struktura të armatosura”, janë të tepërta. Duke pasur specializimin përkatës, këta ish-punonjës të Policisë së Shtetit janë atashuar për një qëllim të vetëm: që të marrin informacion, ta përpunojnë dhe t’ia tregojnë Policisë së Shtetit se kush janë personat që mund të shesin apo blejnë votat. Këtë nuk e bën dot vetë kandidati”, u shpreh Hajdarmataj. (për më shumë)
“Struktura për mbrojtjen e votës e dëmton PD”, Gjonaj: Shtrohet rruga që palët të kontestojnë rezultatin
Ngritja e strukturave paralele për mbrojtjen e votës nga Partia Demokratike është e papranueshme për një vend që aspiron në BE dhe e dëmton PD-në. Kështu u shpreh analistja Edlira Gjonaj në studion e “Absolut 4”.
“Kjo e dëmton shumë Partinë Demokratike, është e papranueshme. Përfaqësues të PD kanë thënë shpesh edhe në këtë studio kanë artikuluar për herë të parë fjalën strukturë për mbrojtjen e votës që do të thotë se ti nuk ke besim tek institucionet, KQZ dhe Policia që mbrojnë votën. Duket sikur vjen një pushtues që do na marrë votën. Është një situatë krejt ndryshe nga ajo që bën fushatën dhe kjo e dëmton PD, e dëmton komplet e gjithë ekzistenca, nëse nuk ka besim te vota dhe nuk kishte besim edhe në 2017 mori hapin tjetër. Unë jam e konfuzuar dhe nuk jam e vetmja”. (për më shumë)
Ngritja e strukturave të PD, Kalemaj: Synon t’i çojë mesazh elektoratit se do të ruajë integritetin e votës
Për të komentuar ngritjen e strukturave të posaçme të PD-së për mbrojtjen e votës, analisti Ilir Kalemaj sjell në vëmendje situatën në zgjedhjet e 2017-ës, ku pavarësisht se PD iu dhanë disa ministri, nuk pati asnjë kontroll mbi shitblerjen e votës dhe deformimin e saj. Sipas tij me ngritjen e këtyre strukturave PD synon t’i çojë një mesazh elektoratit të saj dhe të lëkundurve se do të ruajë integritetin e votës. Në “Absolut 4” ai thekson se në Shqipëri votat në Shqipëri nuk vidhen në kuti, por blihen muaj më parë përmes mekanizmave të tjerë. (për më shumë)
Agresiviteti i gjuhës në fushatë, ekspertët: Shenjë që rezultati është i ngushtë
Komunikimi politik midis palëve që sfidohen ne zgjedhjet e 25 prilli po behet gjithmonë e më e ashpër. Për analisten Edlira Gjoni, “ndihesh keq që 2-3 ditë para zgjedhjeve presidenti të përdorë tonin që përdori sot, Rama po ashtu, dhe PD nxjerr furgonat e një strukture paralele”.
Për sa i përket presidentit Meta, “edhe pse nuk po bën një fushatë për një palë patjetër që po ndikon klimën e zgjedhjeve, në vend që të qetësojë. Në qoftë se ka diçka kundër kryeministrit pse nuk mund të zgjidhen kanalet e tjera, duket se zgjedhin hapësirën mediatike në kurrizin tonë. Ekranin në hapësirën publike e shfrytëzojnë ato palë që nuk kanë mundësi të tjera”.
Sipas saj, “i vetmi që nuk po i hedh benzinë zjarrit është Lulzim Basha, sepse qoftë Rama dhe Meta ka përdorur gjuhë të ashpër veçanërisht ndaj njeri tjetrit, sepse Rama e ka injoruar Bashën. (për më shumë)
(A2 Televizion)